Një organizatë e të rinjve me lidhje të ngushta me islamistë në Zvicër dhe në Bosnjë po përpiqet t’i joshë të rinjtë.

Së fundi shefi i shërbimit sekret të Zvicrës, Markus Seiler, paralajmëroi: «Në Zvicër po radikalizohen gjithnjë e më shumë të rinj». Një mënyrë për të krijuar të rinjtë kontakte me qarqet radikale islamike është organizimi i të ashtuquajturave aktivitete argëtuese dhe sportive nga organizatat e dyshimta. Njëra nga këto organizata në Zvicër duket se është «Bashkësia e Rinisë Islamike të Zvicrës», shkruan gazeta «NZZ am Sonntag» në numrin e së dielës.

Në fund të vitit të kaluar kjo bashkësi organizoi në Zürich një demonstratë «kundër terrorit dhe islamofobisë», por veprimtaria e saj kryesore është ofrimi i aktiviteteve argëtuese dhe sportive dhe përhapja e mësimeve me përmbajtje fetare. Kështu së paku thuhet në statuset e bashkësisë. Bashkësia deri më tani ka organizuar gara në lundrim, turnire futbolli dhe «paintball».

Por, siç ka zbuluar «NZZ am Sonntag», «Bashkësia e Rinisë Islamike të Zvicrës» mban lidhje të drejtpërdrejta me islamistët në Zvicër dhe në Bosnjë. Në Zvicër kjo organizatë është e lidhur me «Këshillin Qendror Islamik», i cili drejtohet nga konvertitët zviceranë Nicolas Blancho dhe Qaasim Illi. Kundër të dyve Prokuroria e Konfederatës së Zvicrës është duke zhvilluar hetime për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjit kundër terrorizmit (ose ligjit kundër al-Kaidës dhe «Shtetit Islamik»). «Bashkësia e Rinisë Islamike të Zvicrës» mban kontakte të ngushta edhe me një islamist fanatik nga Bosnja, i cili dyshohet se është i lidhur me boshnjakun Nusret Imamoviqin, i cili figuron në listat e terrorit të OKB-së dhe SHBA-ve.

Në «Këshillin Qendror Islamik» luajnë rol edhe disa shqiptarë. Kreu i këshillit Nicolas Blancho e ka ftuar disa herë në Zvicër imamin e dyshimtë të Prishtinës Shefqet Krasniqi. Pas arrestimit të Krasniqit dhe imamëve të tjerë të dyshuar për radikalizëm fetar, Blancho atakoi autoritetet e Kosovës, duke thënë: «Arrestimi i tij (Krasniqit) dhe dinjitarëve të tjerë është turp»./DP