Ish Ambasadori i OSBE-së, William Walker, diplomati i shquar amerikan, i cili e sensibilizoi botën për masakrën e Reçakut dhe shkaktoi intervenimin e NATO-s në Kosovë, qëndron për disa ditë në Tetovë, me qëllim të njohjes për së afërmi me situatën aktuale politike në vend pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, për prezantimin e idesë së tij për krijimin e një boshti politik të shqiptarëve, si dhe për rrjedhat e përgjithshme të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni dhe në përgjithësi në rajon.

Ambasadori i shquar amerikan Walker, i shoqëruar edhe nga një grup veprimtarësh të shquar shqiptarë nga SHBA dhe Evropa, fillimisht u takua me grup intelektualësh të përzgjedhur, ndërsa më vonë edhe me përfaqësues të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni. Të pranishëm në takim kanë qenë përfaqësues të BDI-së, PDSH-së dhe Aleancës për shqiptarët, ndërsa e vetmja që refuzuar takimin ka qenë Lëvizja BESA e cila ka kontestuar kontributin e ish Ambasadorit Walker për shqiptarët.

Në këtë takim ambasadori Walker u njoftua për situatën e përgjithshme në vend, ndërsa pas këtyre takimeve prej disa orësh dha disa deklarata për mediumet e vendit, përmes të cilave i shprehu mendimet e tij për çështje shqiptare në përgjithësi, e në veçanti për çështje e shqiptarëve në Maqedoni.