Me ndeshjet e javës së 18 që do të luhen sot (e enjte) do të përfundon sezoni vjeshtor në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë në futboll. Nga pesë duelet që do të zhvillohen, spikat “Klasikja” shqiptare, ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit, dy skuadrave më të ndjekura në këtë pjesë të sezonit. Edhe pse diferencat janë të ndryshme në fushë dhe në renditjen tabelore, ku skuadra tetovare ka 11 pikë më shumë se skuadra shkupjane, aktorët e të dyja skuadrave, paralajmërojnë futboll cilësor. Ndryshe, pas disfatës nga Sileksi javën e kaluar, nga radhët e skuadrës tetovare paralajmërojnë fitore nëpërmjet të së cilës do të arsyetojnë epitetin e favoritit që kanë në këtë ndeshje. “Përcaktimi jonë dihet, fitore në çdo ndeshje. Për fat të keq në fund hymë në një moment jo të mirë dhe pësuam nga Sileksi pikërisht pas atyre paraqitjeve të mira dhe fitoreve kundër Vardarit. Mirëpo, këto janë gjëra normale në futboll, secilit i ndodh të ketë ditë të dobët. Tani ne shikojmë përpara dhe kërkojmë të mbyllim sezonin vjeshtor me fitore. Nuk do të jetë lehtë, pasi Shkupi po dëshmohet si ekipi cilësor, që më shumë pikë ka fituar në ndeshjet jashtë fushës, se sa në shtëpi. Prandaj ne shikojmë këtë ndeshje me seriozitet maksimal dhe të gjithë do të japim maksimumin për të marrë fitoren dhe për të arsyetuar rolin e favoritit në këtë përballje”, deklaroi Armend Alimi për KOHA. Për këtë ndeshje, trajneri Shpëtim Duro nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e brazilianit Zhunior, i cili ka një shqetësim muskulor, Radeski ka karton të kuq, ndërsa prej më herët ekipit i mungojnë Ferhan Hasani dhe braziliani Jufo.  Derisa, nga kampi bardheblu thonë se do të tentojnë ti shfrytëzojnë mungesat që kanë kuqezinjtë për këtë ndeshje. Njëri prej tyre është edhe Fisnik Zuka, i cili shpreson të mos pësojnë disfatë në këtë përballje. “Kemi pas një orar të vështirë në pjesën e fundit të sezonit, ndërsa në fazën vjeshtore gjithmonë e kemi fundin të papërshtatshëm shkaku që edhe fushat janë në gjendje të rëndë, që nuk na mundëson të bëjmë lojë të mirë. Me Shkëndijën kemi një bilanc negativ, pasi ndeshjen e fundit e kemi humbur në Çair. Do të kërkojmë të shfrytëzojmë mungesat që kanë kuqezinjtë dhe të përfitojmë në dështimet eventuale të skuadrave tjera që të shkëputemi në renditje. Besoj që me angazhim të ekipit do të mbesim të pamposhtur edhe në përmbyllje të këtij edicioni”, u shpreh Zuka. Ndërkohë, nga ekipi bardheblu njoftuan se për ndeshjen ndaj Shkëndijës, Shkupit i kthehet Mevlan Adili, i cili mungoi ndaj Mlladostit shkaku i pesë kartonëve të verdhë, ndërsa në këtë ndeshje pritet që të jetë i gatshëm edhe Ersen Asani. Derisa, lideri aktual Vardari në stadiumin në “Gjorçe Petrov” do të pret skuadrën e Sileksit, kurse skuadra tjetër shqiptare Renova do të jetë mysafir i Bregallnicës. Të gjitha ndeshjes e javës së 18 në LPFM-s luhen sot (e enjte) dhe të njëjtat do të fillojnë në ora 13:00. /Koha/shkupi-shkendija-550x330-418x215