Shkon në 6 numri i viktimave në Shqipëri si pasojë e motit të keq që ka bllokuar vendin me reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta. Viktima e fundit është një 69-vjeçar që ka humbur jetën në ujërat e lumit Bunë pasditen e sotme, pasi ka rrëshqitur në lumë gjatë momentit që ka qenë duke mbushur ujë.

Gjithashtu një tjetër person ka humbur jetën në Durrës. Fillimisht u raportua se një 67-vjeçare nga qyteti i Durrësit kishte vdekur nga të ftohtit, por sipas policisë rezultoi se ka pësuar atak në zemër. Ajo është identifikuar si Shpresa Muça. Sipas burimeve policore mësohet se gruaja kishte tre ditë që kishte ndërruar jetë dhe nga kontrolli i bërë rezultoi që ajo nuk kishte asnjë pajisje ngrohje në banesë.