Rreth 250 autoblinda luftimi do t’i shtohen ushtrisë shqiptare brenda vitit 2017. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se, këto mjete janë dhuratë e ushtrisë amerikane për forcat e armatosura shqiptare dhe do të përdoren për rinovimin e flotës së automjeteve ushtarake aktuale (të luftimit).

Këto mjete të teknologjisë së dy dekadave të fundit të pajisur me armatime dhe standarde të blindave që përdorin ushtritë e NATO-s, do të mbërrijnë të ndara në dy kontigjente, pjesa e parë prej 70 brenda muajit mars dhe 180 të tjerat të ndara në disa lote deri në gusht 2017.

Kjo ndihmesë e ushtrisë amerikane për forcat e ushtrisë shqiptare është deklaruar kohë më parë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë prezantimit të buxhetit në komisionet parlamentare dhe prezantimit të flotës së mjeteve që disponohen aktualisht.

Kjo flotë prej 250 autoblindash do ti shtohet flotës aktuale, duke e çuar numrin në total në afro 300 të tilla ndërsa pjesë e rinovimit pritet të jenë dhe armët luftarake, për të hequr përfundimisht përdorimin e automatikut “AK 47”, njohur ndryshe si “Kallashnikovi”.