Rusia garanton për Ratko Mladiqin

Zëdhënësi i Gjykatës së Hagës, Nenad Golçevski, I konfrimuar Radios Evropa e Lirë se Gjykata në Hagë ka pranuar një kërkesë urgjente të cilën e ka parashtruar mbrojtja e të akuzuarit Ratko Mladiq.

Në shkresë i kërkohet Gjykatës që Mladiqit t’I miratohet lirimi i përkohshsëm nga njësia e paraburgimit në Hagë me qëllim që të bartet në Rusi për shërim të domosdoshëm mjekësor.

“Në lëndën kundër Ratko Mladiqit, avokatët e mbrojtjes së tij kanë parashtruar sot një kërkesë për lirimin e përkohshëm të të akuzuarit. Shkresa është voluminoze por në këtë moment nuk mund të them asgjë më shumë sepse nuk kam pasur qasje në dokument. Megjithatë, kjo është një kërkesë zyrtare dhe si e tillë është edhe publike”, tha Golçevski për Radion Evropa e Lirë.

Përpara dorëzimit të kërkesës, avokatët e Mladiqit në emër të klientit të tyre, siç mësohet, kanë paraqitur edhe gjetjet e mjekëve-ekspertë për gjendjen e tij shëndetësore që sic thuhet në kohën e fundit është përkeqësuar.

Pjesë përbërëse e kërkesës, siç tha Miodrag Stojanoviq, bashkëmbrojtës i Ratko Mladiqit, është edhe garancioni i shtetit të Rusisë.

Stojanoviq i tha Radios Evropa e Lirë, se me kërkesë të mbrojtjes së Ratko Mladiqit, Qeveria e Federatës Ruse ka dhënë garanci nëse Gjykata e Hagës do të lironte përkohësisht Mladiqin për shërim.

Kjo, sipas Stojanoviqit, do të thotë se ata do ta pranonin për kontrolle shëndetësore, shërim dhe pas kësaj, kur Haga të kërkonte, ta kthenin në paraburgimin e Gjykatës në Hagë.

Ish komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mladiq është arrestuar më 26 maj 2011. Ai akuzohet për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjë dhe Hercegovinës, që në gjashtë komuna ka pasur përmasa të gjenocidit si dhe për marrje peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Mbrojtja e Mladiqit ka kërkuar lirimin kurse prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm.