PDSH po bën përgatitjet për Kongresin e jashtëzakonshëm zgjedhor që së shpejti do të caktohet për zgjedhjen e liderit të ri të kësaj partie, pas dorëheqjes së Menduh Thaçit.

PDSH pësoi një humbje katastrofale në zgjedhjet e 11 dhjetorit  dhe është në proces të rrënimit si parti politike dhe zhdukjes nga skena politike.

Kjo vjen nga shkaku se deri më tani nuk ka pasur asnjë rifreskim të kësaj partie gjatë këtyre 10 viteve të fundit ku vazhdimisht kanë pësuar disfata në gjitha ciklet zgjedhore nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Por nëse ka rifreskim brenda partisë atëher ka shpresa që kjo parti të mbijetojë në skenën politike.

Kështu kanë vlersuar për Zhurnal analistët politik. Sipas tyre PDSH po e humb esencën si parti politike dhe primatin e opozitës shqiptare në Maqedoni sepse gjatë viteve të fundit nuk ka pasur asnjë aktivitet madhor në terren dhe votuesit e tyre tanimë janë lodhur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme.

Analisti politik, Dame Çkatroski konsideron se PDSH-ja gjatë këtyre viteve edhe pse ka qenë në opozitë nuk ka ndërmarr asnjë aktivitet që sado pak ta kundërshton pushtetin, por ka përkrahur vetëm politikat që i kanë konvenuar udhëheqësisë më të ngushtë dhe jo përkrahësve të tyre.

Sipas tij kësaj partie i duhet një restartim dhe reformatim total sepse në zgjedhjet e ardhshme mund të zhduket totalisht nga skena politike.

“PDSH e humb esencën si parti jo vetëm nga rezultati por edhe për 9 vite aktivitet që nuk u njoh aspak, votuesit e tyre janë të lodhur, duhet një ristart i madh që nuk do të ishte njejtë si me VMRO, BDI apo si Besa. Shumë kohë në opozitë dhe pa aktivitet ku përkrahen politikat që i konvenojnë vetëm udhëheqësisë. PDSH si parti është e nevojshme në Maqedoni, megjithatë është parti parlamentare, por nga ana tjetër partia që nuk ka grup parlamentar në parlament ka dy opcione, njëra është që në zgjedhjet e ardhshme të zhduket si parti politike dhe e dyta të bashkohet me ndonjë parti tjetër deri në momentin kur nuk e gjenë rrugën e saj origjinale”, ka deklaruar Çkatroski duke shtuar se PDSH vetëm me persona të ri, me ide të reja mund të ketë ndonjë rezultat më të mirë se ato të 11 dhjetorit.

“Sa ka forcë PDSH për gjithë këtë do e shohim në kongres, pas mundësive politike në Maqedoni, PDSH do i duhet vite që të rikthejë nga rezultati i fundit. Kuptohet me origjinalitet, me njerëz të ri, ide të reja, e sa do ketë forcë brenda, shpejtë do shihet”, ka përfunduar për Zhurnal, analisti politik Dame Çkatroski.

Nga ana tjetër politologu Deniz Memedi shprehet se çdo rifreksim i ri aludon në kahje pozitive. Sipas tij Menduh Thaçi u tregua i përgjegjshëm pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë pas humbjes katastrofale që pësoi PDSH-ja nën drejtimin e tij.

“Sigurisht që çdo rifreskim i ri me gjasa të mëdha shkon drejt një kahje pozitive. Kryetari i PDSH-së pas zgjedhjeve në formë korrekte morri përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve dhe si atëherë paralajmëroji largimin e tijë nga posti. PDSH si një ndër partitë më të vjetra në skenën politike të Maqedonisë në rradhët e saj ka kuadro të shëndosha që në mënyrë të denjtë munden ta zëvendësojnë liderin e deritanishëm të partisë”, ka deklaruar Memedi duke shtuar se ky rifreskim në PDSH, mund të sjellë edhe ide të reja të kapshme për elektoratin shqiptarë dhe PDSH prap të rikthehet si faktorë relevant në politikbërjen e shtetit të Maqedonisë.

“Rifreskimi i partisë mundë që të sjellë edhe risi të reja në ofrimin e politikave të cilat do të jenë më të kapshme dhe më atratkive për elektoratin shqiptarë dhe pse jo në të ardhmen PDSH prap të rikthehet dhe të jetë një faktorë relevantë në pjesën e politikbërjes në vendin tonë”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Deniz Memedi.

Ndryshe, menjëher pas rezultatit katastrofal të PDSH-së më 11 dhjetor, kryetari i kësaj partie Menduh Thaçi doli në konferencë për shtyp ku tha se do të merrë përgjegjësi për këtë rezultat fatal. Një javë më pas Thaçi dha dorëheqjen e tij të parevokueshme duke e marrë përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Jozyrtarisht mësohet se në target janë emra të njohur të rinj të kësaj partie, që kanë bagazh intelektual. Por megjithatë nuk bëhet e ditur për asnjë emër. Nga PDSH heshtin për detajet e kongresit.