Kimete Berisha

1. Çka po të pengon ty o Rem pse LDK-ja, gjithmonë para zgjedhjeve i përmend vrasjet politike.
Pse mos m’i përnmend!
A me t’lyp leje ty, a çka duhet me bë!.
Kush je ti që i mëson njerëzit për çfarë temash me folë!.

Ti që e di çka është morali, por nuk di ta shkruash fjalën moral.
Ti kaq hiç je i moralshëm, sa që ia fut në fund kësaj fjale një “ë” të rrastë dhe thua se politika duhet të ketë “moralë”.

Si është e mundur të pleqnoj për moralin njeriu që s’di ta shkruaj fjalën “moral”.
Ku e ke kry shkollën ti?
Çka ka lidhje morali me politikë!

Fol diçka për dashninë ti, lëre moralin. Plus gruan e II-të e ke mësuese, ish dasht së paku me të mësu me shkru.

2. Dhe jo veç Remit, vrasjet politike po i pengojnë sidomos Xhavit Halitit. Edhe ai është kundër që të përmenden vrasjet politike.
I pengon kjo temë edhe Freddy Krugerit. Qysh mos m’i pengu!

Fenomen këtu quhet fakti se si është e mundur të ketë pasur Kosova e vogël kaq vrasës të mëdhenj, profesionistë, dhe këta vrasës ndër sy të NATO-s, KFOR-it, UNMIK-ut, EULEX-it e dhjetëra shërbimeve të tjera, t’i vrasin gjithë këta njerëz e pastaj të “zhduken” nga faqja e dheut.

3. E LDK i ka dertet e veta. Punë për ta kur flasin për vrasjet politike. Ata kanë të drejtë ta vajtojnë veten kur të duan.
Dikush përfiton edhe nga vdekja për të mbetur gjallë.
Si flora e natyra.
Nga i gjalli del i vdekuri, nga i vdekuri del i gjalli, kush po të pyet ty pse bari ushqehet me kufoma para se ta mbulojë tokën me lule dhe me pipili të verdhë.

4. Dy pipilia i gjeta edhe në listën e “vdekjeve” të “Syrit të popullit”. Duke ia bërë një redakturë gjuhësore Listës së Syrit, e zbulova “Amerikën”.
Korrupcion gjeta, Të “dënuarit” e “Syrit” nuk janë trajtuar të gjithë njësoj.
Për të gjithë kandidatët e “vdekjes”, ish dhënë “arsyeshmëria” e likuidimit, ndërsa vetëm për Kadri Veselin dhe për Xhavit Halitin, ish dhënë vetëm pozita e punës së tyre në Kuvend.
Pra, ata do të “vriteshin” “ku-ku nonë”, vetëm e vetëm pse janë Kryetar vs Nënkryetar të Kuvendit, e për të tjerët “boll mirë” kishin ditë t’i shpallin “tradhtarë”.
Me pas qenë unë agjendte e CIA-s ose psikologe, puna e parë i kisha ftuar në prokurori dy të lartpërmendurit, për shkak se si psikologe që do të isha, do ta kisha ditur se njeriu është qenie kaq subjektive sa që nuk ia mban dora të shkruajnë për vete fjalë të kqija…
Pastaj, krim në vete ish edhe fakti se Listën e “vdekjes” e kishte nënshkruar dikush me emrin “Sakati”. Ku ka me shku më poshtë e më ultë se kjo!

5. Dikush që nuk është në Listën e “Syrit” e ka luksin të flas për tema të lehta. Si Bajram Geca përshembull, i cili e refuzon “ftesën” e Vetëvendosjes për koalicion, për shkak se ata u duken “adoleshentë”, ndërsa LDK-ja është gërrxhulkë plakë.

Vetëvendosja edhe ashtu (ma thotë zemra), mund të bëjë koalicion me PDK-në, plus që LDK tani për tani është nën nivelin e VV.
Pleqtë i ka shkelur adoleshenca e VV. Bota është e të rinjëve, tash vajto sa të duash ti. .
Bajram Gecaj çohet peshë shpesh, dhe sa herë çohet peshë, çohet si për hajgare, sepse fjalën “çon” e shkruan me “q” të butë, si sot, që kish shkruar se “pak qon peshë”, që do të thotë se sikur të çonte VV shumë peshë, do ta shkruante me ç të fortë “çuarjen”…me “ç”-çekiçi.
Pas Remit, Bajrami është dhunues i madh i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

6. Kush hyn në Vetëvendosje e pagëzojnë me heshtje, e pushton qetësia dhe paqa.
Si Dukagjin Goranci, i cili as “te Martini” më nuk flet, veç dëgjon, mbledh dije, dhe nuk shpreh më mendime.
Se për të ka kush mendon. S’po më ftojnë se edhe unë e lodhur nga të menduarit, do të kisha shkuar m’i pushu trutë në VV.
A ka lezet më të madh se sa të tjerët të mendojnë për ty, e t’i të pushosh.
Pa heshtur nuk e dëgjon zërin e Zotit. Sepse, në heshtje dhe qetësi siç ka thënë Shën Tereza “rritet gjithçka”, prandaj them unë në heshtje u rrit dhe u plak’ edhe LDK-ja.
Se nëse bën zhurmë, qan e bërtet, nuk e pret pleqërinë. Pleqërinë e presin vetëm njerëzit e mençur dhe të urtë, si këta të LDK-së.

7. Fuqinë e madhe shpiirtërore që posedon Vetëvendosje për t’i bërë njerëzit të përjetojnë metamorfozë, të dalin nga vetëvetja dhe të flasin, të ecin dhe të bëjnë grimasa “Albin”, e dëshmon fakti se madje-madje edhe Donikën kanë arritur ta qetësojnë.

Unë s’po kam kohë se do ta kisha inicuar jetësimin e idesë që sindromi “Albin” të futet si term i veçantë në librin e psikologjisë, që tregon se personi i afektuar bën, sillet, flet dhe mendon njësoj sikur një “Albin” i caktuar, i cili (në rastin tonë), është shumë sygjestiv, dhe i “manipulon” njerëzit që ta “shtramojnë”, ta kopjojnë dhe ta imitojnë për t’u dukur si Ai..
Plus, duket i ri. Të gjithë plaken, përveç Albinit. Kjo duhet m’u analizu mirë.

8. M’u plak s’ka askush qejf, prandaj këta të Vetëvendosjes duken të ri, edhe kur s’janë.
Gratë e VV duhet të duken më të vjetra, për shkak se femrat e reja s’i merr kush seriozisht, prandaj e kanë zgjedhur ngjyrën e zezë dhe të kaftë të flokëve si ngjyrë të cilës duhet t’i nënshtrohen gratë.
Edhe frizura duhet të jetë klasike, pak llokma kah fundi. Vetullat duhet t’i kenë si të Fridës (se po më vjen keq të them si të Brezhnjevit).
Si Arbëria e Arsimit në Prishtinë. E këshilluar se askush nuk e merr seriozisht nëse bëhet bjonde, aju u bë “zeshkane”.

Duke e ditur se askush nuk e merr seriozisht nëse i bën vetullat penj, ajo i ka mtrashur ato me metoda japoneze, më zi se Frida, më trashë se gajtani i shporetit.
Sepse, kur e sheh para vetes ti një grua me vetulla të trasha, çka i dhuron tjetër, përveç respekt, një grua që s’ka kohë t’i tëhollojë vetullat.
Pra duhet të dukesh sikur nuk ta ndin a po dukesh bukur.

Personalisht pres që ditëve në vazhdim t’i bashkangjitet VV edhe Albërija (këngëtarja), e cila e kish bërë hundën (mos më shti Zot n’ngjynah), më të vogël se të Majkëll Xheksonit, vetëm e vetëm për t’u dukur “bukur” dhe modeste, që i nevojitet shumë pak ajër për të mbijetuar.
I lumtë për guximin (anipse thonë Zoti e ka pasur më së vështiri ta mbarojë hundën, dhe për këtë shkak mund të digjesh n’xhehnem nëse ia përqesh njeriut hundën, e nuk i bjen pishman).

9. Përndryshe, sot bektashinjtë e kanë nisur ditën me sherbet e me tambël (pije këto që i konsiderojnë të parajsës), sepse sot është Viti i Ri i Iranit (dita e Nevruzit), imam Aliu u lind sot ( i vetmi njeri që u lind brenda Qabës).
Sot lulëzon natyra, o Zot.
Dalin mizat, mickonjat, buburrecat, shumohen minjtë e gjarpërinjtë, zgjohen nga gjumi arushat .. çka s’ndodh sot.
Po, prap se prap m mirë me besu-se me provu.
Urime kushdo që ende beson në njerëz.

P.S.
Malli më ka marr me t’pa
Jam këtu,
vetëm,
Aty ku më ke lënë

Sa herë të kam sharë
Sa herë të kam qarë

ta kam prerë këmishën me gërshërë
copë-copë ta kam bërë
në lum e kam hedh
Dikush më ka pa
Duke ta prerë këmishën, në vend të trupit tënd

E kam shikuar xhepin kah largohet nga mënga
jakën kah ndahet nga shpina
gjoksin kah ndahet nga zemra

Të gjitha i kam parë

Të kam parë të vogël
Të keq
të shenjtë
Të trishtuar
Të humbur
Të braktisur
Edhe vet të kam braktisur s’disa herë
sidomos në vjeshtë
kur bija si shiu i ftohtë

Të kam parë cullak
Dhe, prap të kam dashur

Por, nuk të dua më.

Sot nuk të dua.