Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e qytetit të Përmetit Qendër të Mbrojtur Historike, duke i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si qendër e zhvillimit të turizmit në pjesën jug-lindore të vendit.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me IMK-në dhe institucionet e tjera pas një pune të gjatë për vlerësimin e pasurive kulturore dhe qendrave të rëndësishme të trashëgimisë në të gjithë Shqipërinë, ka vendosur që në bazë të kritereve të përmbushura t’u japë atyre statusin e Qendrave të mbrojtura Historike.

Shpallja e qytetit të luleve  Qendër Historike është një tjetër premtim i mbajtur nga Ministria e Kulturës, jo vetëm për mbrojtjen e qyteteve dhe zonave të caktuara me vlera tepër të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historisë, por dhe për kthimin e këtyre vendeve në zona me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe atë ekonomik, duke u dhënë atyre një jetë të re.

Qendra Historike e qytetit të Përmetit e propozuar shtrihet rrëzë malit dhe përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe shtrihet kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varrosh), Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku kanë mbetur gjurmët më të vjetra të qytetit.

Brenda qendrës historike ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776, dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kisha e Shën Kollit e shekullit 19-të. Gjurma e rrugës e rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit 19-të.

Në Përmet ka banesa karakteristike ndonëse të transformuara, porta të harkuara dhe selvi shumëvjeçare.

Varroshi, që zakonisht përfshinte banesat përjashta fortesave, ato nën këmbët e kalasë, me kalimin e kohës njihej me emrin lagjia e Shënkollit, sigurisht në kuptimin më të ngushtë, meqë kjo lagje fillonte të shtrihej nën këmbët e bregores së Bolëngës, nga fundi i së cilës ndodhej kalaja.

Kjo lagje e ndërtuar thuajse nga ana jugore e Bolëngës, zbriste tatëpjetë lagjeve të tjera, mbi të cilat si pozicion mbizotëronte dhe kishte një hapësirë pamjeje të gjerë.

Rrugët janë të shtruara në pjesën më të madhe me kalldrëme të realizuar në gurë gëlqerorë dhe gurë lumi. Dallohen disa tipologji dhe teknika shtrimi si ratë dhe këlliç. Në çdo shtrirje rrugore ekzistonte një linjë qëndrore për kalimin e ujit, që pothuajse çdo ditë, hapej nga mullinjtë për të garantuar pastrimin e rrugëve, portave dhe kopshteve.

Shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar thuajse ngjitur njëra-tjetrës, me oborre ose kopshte të vegjël dhe me pjërrësi të lehtë që diktohet nga vetë terreni. Rrethimet e oborreve kryesisht janë të mbyllura nga mure guri të larta dhe porta druri me strehë. Shumica e banesave janë dykatëshe me mure guri dhe çati me rrasa guri, por nuk mungojnë dhe njëkatëshe ose dhe trekatëshe.

Brenda qendrës historike spikasin disa ndërtime të fillim shekullit 20-të me vlera të veçanta që meritojnë të marrin statusin monument kulture. Pjesa dërrmuese e ndërtimeve janë të pas Luftës së Dytë Botërore.

Zona e Mbrojtur në pjesën më të madhe përbëhet nga një zonë e gjelbër kryesisht në kodrën e Bolëngës e cila është një zonë e qytetit me potencial të madh arkeologjik, si dhe përfshin  edhe kalanë e Bolëngës si dhe disa banesa të ndërtuara në periudha të mëvonshme, me të cilat plotësohen me mirë vlerat e Qendrës Historike dhe krijohet një kalim i butë prej saj drejt pjesëve të planifikuara për ndërtime të reja. /gazetadita.al