Parlamenti turk aprovoi ndryshime në Kushtetutën, me të cilat është paraparë edhe rritje të autorizimeve të presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Me këtë është hapur rruga për mbajtje të referendumit, i cili pritet në pranverë, ndërsa me këtë do t’i mundësohet Erdoganit që të jetë shef i shtetit deri në vitin 2029.

Parlamenti i aprovoi ndryshimet në Kushtetutë me 339 vota nga gjithsej 550 anëtarë. Në seancën e cila përfundoi herët në mëngjes, deputetët votuan pako të ndryshimeve të propozuara nga partia qeveritare e Erdoganit.

Kryeministri turk Binali Jilldirim i përshëndeti rezultatet nga votimi, duke theksuar se “tani kjo do t’i besohet popullit dhe ai do të vendosë”.

Erdogani dhe ithtarët e tij pohojnë se ndryshimet do të sjellin stabilitet, por kritikët konsiderojnë se ato i lejojnë tepër pushtet shefit të shtetit. Erdogani, i cili  udhëheq me Turqinë nga viti 2003, tanimë është akuzuar për autoritarizëm të rritur.