Nëse deri më tani e keni patur me dyshim nëse duhet apo jo t’i hidhni disa foto në Instagram sepse mendoni se do të bëheni të bezdisshëm me kaq shumë postime, atëherë ndryshimi më i ri në rrjetin social do t’ju lehtësojë goxha punë.

Instagram-i sapo ka prezantuar opsionin e postimit të albumeve, ku mund të përfshini në një postim të vetëm plot 10 foto ose video. Ngarkimi i një albumi funksionon si postimi i çdo fotoje apo videoje, veçse tashmë mund të klikoni opsionin e ri “select multiple” për të përzgjedhur më shumë se një.

Pasi t’i keni përzgjedhur, mund t’i vendosni secilës foto filtrin që dëshironi dhe të etiketoni miqtë tuaj në to. Fotot dhe videot në album do të reshtohen në rendin që ju përcaktoni në mënyrë që të jepet ideja e një historie. Në momentin e postimit, ndjekësit tuaj do të kenë mundësinë të shfletojnë albumin horizontalisht.