Ekipi i Zinedin Zidane dështoi në tentativën e parë për të rritë diferencën me Barcelonan e vendit të dytë.

Madrilenët luajtën sot ndaj Valencias një nga dy ndeshjet e prapambetura, për shkak të pjesëmarrjes në botërorin e klubeve, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por nuk ia dolën të marrin pikë në “Mestalla”.

Valencia shënoi dy herë brenda 10 minutave të para, me anë të Zaza dhe Orellana, ndërsa Reali ngushtoi diferencën me anë të Ronaldos në fundin e pjesës së parë, por pa arritur të bëjë asgjë më shumë për të dalë me pikë nga kjo transfertë.

Kështu ekipi i Zidane, edhe pse u paraqit me formacionin më të mirë të mundshëm, sërish doli kokulur nga kjo transfertë.

Me këtë rezultat, rikthehen shpresat për fitoren e titullit edhe te Barcelona. Katalanasit janë vetëm 1 pikë pas Realit, me këta të fundit që kanë një ndeshje më tepër për të luajtur.