Katër ditë më parë e mposhti me përmbysje duke e eliminuar nga Kupa e Italisë, por në kampionat Milani nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë ndaj Torinos.

Edhe këtë ndeshje kuqezinjtë e nisën keq, duke u gjendur në disavantazh të dy golave brenda 26 minutave të para. Në fillim Belotti e më pas Benassi bënë që skuadra e drejtuar nga Mihajlovic ta shihte vetën në avantazhin e dy golave.

Por sërish, Milani gjeti forca dhe arriti të barazonte në pjesën e dytë rezultatin. Bertolacci shkurtoi diferencën në minutën e 56 dhe më pas Bacca me 11-metërsh e çoi rezultatin në 2-2.

Pas golit të barazimit, Milani u tërhoq disi dhe ishte Torino më kërkuese, por gabimet e Belottit para portës dhe pritjet e Donnarummas bënë që Milani të largohej me 1 pikë nga Torino.

Ndërkohë, Romagnoli e mbylli ndeshjen para kohe, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Me këtë barazim, Milani shkon në kuotën e 37 pikëve në vendin e pestë, por me një ndeshje më pak.