Pas mbledhjes së djeshme të Bordit ekzekutiv të LSDM-së, nga kjo parti refuzojnë të prononcohen. Dolën vetëm me një kumtese të shkurtre ku porosisin se Maqedonisë i nevojitet qeveri që do të fillojë t’i zgjidhë problemet reale të njerëzve, të sigurojë jetë cilësore, barazi, drejtësi dhe gjyqësor të pavarur. Partia më e madhe opozitare mbetet e shurdhër ndaj pyetjeve të gazetarëve rreth platformës së përbashkët të partive shqiptare, për të cilën, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se do të jetë vendimtare gjatë marrjes së vendimit se me cilën parti nga blloku maqedonas do të bëjë koalicion.

“Qëndrimi i Bordit ekzekutiv i LSDM-së është se Maqedonia duhet të fitojë Qeveri të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë e cila do të fillonte me zgjidhjen e problemeve të tyre reale.  Qytetarët dëshirojnë jetë cilësore në një shoqëri qytetarësh të barabartë, drejtësi dhe gjyqësor të pavarur, institucione shtetërore që punojnë në shërbim të qytetarëve. Të gjitha partitë që kanë fituar vende në Parlament, përveç udhëheqjes kriminale të VMRO-DPMNE-së, nuk duhet të lejojë formimin e qeverisë në të cilin do të merrnin pjesë persona të akuzuar për krime të rënda”, theksojnë nga LSDM-ja.

VMRO-DPMNE reagoi menjëherë me anë të një kumtese, ku ia kujton oponentit të tyre politik se VMRO-DPMNE fitoi shumicën e vota në zgjedhje dhe se lideri i LSDM-së Zoran Zaev është mundur, gjë që për të cilën ai duhet të japë dorëheqje.

“Qytetarët e Maqedonisë, në zgjedhjet e 11 dhjetorit e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre dhe i thanë një ‘JO’ të madhe, politikave të shkatërrimit të ekonomisë së Maqedonisë dhe të shtetit, politikanëve të korruptuar dhe profiterëve nga grupi kriminal i LSDM-së. VMRO-DPMNE e ka marrë mandatin nga qytetarët për të formuar Qeverinë dhe për ta shndërruar vullnetin e tyre në masa dhe projekte reale, për një jetë të tyre më të mirë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Në preskonferencën e sotme të VMRO-DPMNE, funksionarë të rinj partiakë akuzuan drejtoreshën e organizatës joqeveritare “Shoqëria e hapur” Fani Karanfilova se i ka ndihmuar financiarisht protestat anti-qeveritare të Revolucionit të Larmë. Gjithashtu akuzuan edhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev për organizim të tenderëve të dyshimtë për blerje të gazit në Strumicë./Tv21

https://youtu.be/KgxOPvWsRw0