Remzi Mehmedi

 

“Nëse ende nuk e kemi të qartë pse duhet ta fitojmë Kërçovën, përgjigjen e saktë do ta gjejmë në përllogaritjen e pasojave që do t’i kemi nga humbja eventuale e saj”. Maqedonia është vendi më specifik në rajon në secilin segment të funksionimit të tij. Është vendi ku ka dyshime të  thella mbi numrin e saktë të popullatës së saj; ku nuk dihet saktësisht numri i shtetasve që kanë të drejtë vote; ku nuk dihet saktë numri i anëtarëve të secilës njësie etnike që jeton në të; ku situata faktike dhe juridike jo që nuk janë në harmoni, por janë kontroverse; ku janë tejet konfuze synimet e vetë shtetit në planin e jashtëm, por edhe të brendshëm; ku varfëria dhe papunësia dita – ditës i afrohen kulmit dhe mbi të gjitha, është vendi që përpiqet teoretikisht të paraqitet si “oaza e paqes” në rajon e në fakt karta e vetme e ardhjes në pushtet të forcave politike të shumicës, është karta e të qenit nëna e llojit të vet dhe njerka e të tjerëve. 

Mirëpo, duke ju referuar motos “të mendojmë globalisht, por të veprojmë lokalisht”, ne si shqiptar që jetojmë në Kërçovë në ditët e 100 – vjetorit të Pavarësisë të kësaj Shqipërie që është sot, gjendemi përballë emocionit të festimit të 100 – vjetorit të shtetit shqiptar dhe sfidës së zgjedhjeve lokale që na pret në mars të vitit të ardhshëm. Në çdo vend tjetër të botës do të ishte absurde që të vendosen në një rang emocional shënimi i 100 –  vjetorit të Pavarësisë përballë zgjedhjeve lokale të një qyteti të vogël dhe të varfër, siç është Kërçova. Por, specifikat që karakterizojnë qytetin tonë rrisin peshën e rëndësisë së zgjedhjeve lokale të qytetit dhe arsyetojnë emocionin, dëshirën, nevojën dhe çdo veprim tjetër të natyrshëm, në drejtim të përgatitjes së kërçovarëve për të fituar këtë betejë sa politike, po aq më shumë   kombëtare. 

Pasqyra që Maqedonia paraqet për rajonin, Kërçova në miniaturë paraqet shembullin për vetë Maqedoninë, pos që dallon në segmentin e epërsisë numerike të shqiptarëve që pranohet edhe zyrtarisht nga të gjithë palët. Kërçova është ndër qytetet më të varfra të Maqedonisë, është qyteti ku punësimi si një e drejtë e natyrshme është shndërruar në mit dhe në një sfidë, që për fat të keq nga shumëkush llogaritet si e shenjtë. Është qyteti ku mungojnë investimet kapitale, si dhe qyteti ku pesimizmi për perspektivë i të rinjve është në kulm. Këto specifika dhe shumë të tjera të këtij domeni, i vërteton më së miri fakti i migrimit të shqiptarëve të kësaj ane në shtete të ndryshme të botës, rezultatet e të cilit kanë sjellë pasoja të mëdha dhe si rrjedhojë, sot shkollat tona fillore kanë nga 1,2 ose 3 nxënës, me çka rrezikohet mbyllja e tyre dhe largimi i dhjetëra arsimtarëve nga puna. Pasqyra e zymtë e qytetit vërehet edhe tek vetë studentët shqiptar të Kërçovës, të cilët në mungesë të perspektivës në vend, më tepër janë të përqendruar se si të gjejnë rrugën për të ikur nga vendi, se sa ku të vazhdojnë studimet e mëtejshme në plan të përgatitjes së tyre profesionale dhe shkencore. 

Këto janë vetëm disa nga problemet që karakterizojnë qytetin e Kërçovës në 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së sotme. Këto specifika, por edhe shumë të tjera imponojnë domosdoshmërinë e udhëheqjes së Kërçovës nga shqiptarët,domosdoshmëri e cila duhet kuptuar edhe nga subjektet politike,që sfida e Kërçovës duhet parë si një triumf përtej interesave partiake. Që kjo sfidë (Uskanës sonë t’i prijë një shqiptar) e Kërçovës të merr epitetin e të qenit treni i fundit i udhëtimit të domosdoshëm, në veçanti duhet kuptuar edhe nga vetë mërgimtarët tanë pa votën e të cilëve fitorja do të ishte vetëm një utopi. Krahas nevojës për të udhëhequr me Kërçovën që është emërues i përbashkët i të gjithë kërçovarëve shqiptarë, në rrugëtimin se si do të arrihet deri këtu, ka mjaft dilema të cilat për fat të keq tek disa rrisin edhe skepticizmin e fitores, ndërsa tek pala tjetër shtojnë ambiciet se edhe në të ardhmen ata si pakicë do të udhëheqin me Kërçovën, që historikisht shumica e popullsisë është shqiptare. 

Mirëpo, që të mos ndodhi kjo, duhet që mobilizimi i shqiptarëve, në veçanti i kërçovarëve që jetojnë në diasporë, të ngrihet në çdo nivel dhe ëndrra që në Kërçovë Zot i vendit të bëhet zotëriu i natyrshëm, të bëhet realitet. Po qe se kjo ëndërr e shumëpritur objektivizohet, atëherë në 28 nëntorin e vitit të ardhshëm edhe Kërçova do të frymojë shqip ashtu si Struga, Gostivari, Tetova dhe shume njësi tjera administrative në Maqedoni. Fitorja e Kërçovës është treni i fundit i udhëtimit të domosdoshëm për shumë arsye, mirëpo arsyeja bazë është para së gjithash parandalimi i migrimit të mëtejshëm dhe ndërtimi i strategjisë për ti kthyer shqiptarët në vendlindje. Në të kundërtën, me humbjen eventuale të saj, pos tjerash rrezikojmë që migrimi të thellohet edhe më shumë dhe, si rrjedhojë të shtohen edhe më tepër pasojat në të gjitha dimensionet. Kjo sfidë vendos përballë njërit ndër provimet me të rëndësishme politike dhe kombëtare, çdo shqiptar, çdo parti politike, aq më tepër edhe çdo kandidat që synonte drejtojë atë në të ardhmen. Them kështu, ngase kjo pozitë eventuale duhet parë si një  përgjegjësi madhore e jo si një privilegj, nga i cili do të shijohen benificionet, favoret e dobitë e tij. Prandaj, besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm që Kërçova në 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë aktuale, ndodhet përballë sfidës së fitores së saj në zgjedhjet lokale, fitore e cila duhet  konceptuar si “treni i fundit i udhëtimit të domosdoshëm”. Në të kundërtën pasojat nga humbja eventuale do të ishin të papërmirësueshme, andaj: “Nëse ende nuk e kemi të qartë pse duhet ta fitojmë Kërçovën, përgjigjen e saktë do ta gjejmë në përllogaritjen e pasojave që do t’i kemi nga humbja eventuale e saj”.

 (Opinioni është shkruar  para katër viteve  në prag  të zgjedhjeve lokale të 2013)