Itali-Shqipëri, Ventura pret shumë tifozë kuqezi në Palermo

Italia e drejtuar nga Gian Piero Ventura do të rikthehet në fushë të premten, në stadiumin e Palermos, në një ndeshje ndaj Shqipërisë, që trajneri italian e cilëson jo të lehtë.

Tekniku i skuadrës axurre nuk pranon shpërqëndrime ndaj kuqezinjve, ndaj dhe në konferencën e fundit në qendrën e “Coverciano”-s vendosi gjithashtu theksin te tifozët.

“Deri më sot nuk kam ndikuar asnjëherë në përzgjedhjen e stadiumeve ku luan kombëtarja. Isha i pranishëm në Xhenova dhe më pas në stadiumin e Marsejës, kur Shqipëria u përball me Francën. Treçereku i stadiumit ishte mbushur me shqiptarë. Besoj se do të arrijnë ta mbushin edhe impiantin e Palermos, pasi është një ndeshje historike. Është hera e parë që luajmë së bashku në një ndeshje kualifikuese”, tha Gian Piero Ventura, trajner i Italisë.

Trajneri i Italisë, fokusin kryesor ka pikët për kualifikimin, por dëmtimet nuk ia kanë bërë zgjedhjet të lehta.

“Po ndërtojmë një ekip të rëndësisëm, por problemi është kualifikimi. Nëse arrijmë ta marrim shpejt, Italia do jetë surpriza e Botërorit të Rusisë. Më shqetëson shëndeti i lojtarëve dhe dëmtimet. Kam humbur Florenzin dhe Bonaventurën për të gjithë kampionatin. Po kështu Gabbiadini dhe Barzaglin. Nuk kam pasur asnjëherë në ekip Marchision, ndërsa Verrati ka qenë pjesërisht. Duhet të përfaqësojmë Italinë dhe të bëjmë krenarë tifozët tanë”, tha më tej Gian Piero Ventura.

Italia do të luajë të premten e 24 marsit në Palermo ndaj Shqipërisë, me kuqezinjtë që mbajnë vendin e katërt në grupin kualifikues.