Vëllai i ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, mund të përfundojë pas hekurave nëse Koreja e Jugut e përmbush kërkesën e SHBA-së për ta arrestuar atë. Ai është akuzuar se është përfshirë në një skemë ryshfeti për të kryer shitjen e një kompleksi ndërtimor vietnamez.

Përfaqësuesi amerikan i akuzës, Daniel Noble, tha gjatë një seance gjyqësore në gjykatën federale në Manhatan se ishte bërë një kërkesë për të arrestuar Ban Ki-Sang, administratorin e një firme ndërtimi koreanojugore.

Daniel Noble ka bërë të ditur se për personin në fjalë do të kërkohet dhe ekstradimi.

Ndihmësi i ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së bëri një deklaratë në lidhje me çështjen, duke kërkuar ndjesë për krijimin e shqetësimeve.

Vëllai i Ban Ki-Moon-it dhe nipi i tij akuzohen për përpjekjen për t’i dorëzuar rreth 500.000 dollarë amerikanë një zyrtari të paidentifikuar nga Lindja e Mesme me synimin për të shitur një godinë të poseduar nga firma e ndërtimit koreanojugore. /tesheshi.com/