Driton Nebiu

Haraçinës nuk i duhet emri i Zaevit përderisa ka emra të bijve e bijave që çdo herë kanë ditë e do të dinë të mbrojnë dinjitetin dhe interesin e haraçinasve. Kemi emra të vlefshëm e të mirë, madje edhe për në Strumicë, nëse i duhen Zoranit.

Në sistemet demokratike vullneti i popullit është i padiskutueshëm dhe askush nuk mundë të nëpërkëmbë këtë vullnet, por, këtë vullnet në të njejtën kohë, askush edhe nuk guxon, nuk mundet e aq më pak nuk duhet ta nëpërkëmbë dhe ta keqpërdorë për interesa të vogla personale, grupore apo edhe partiake.
Jemi në një periudhë paszgjedhore kur shumëçka ka filluar të qartësohet, të analizohet dhe gjërat të shihen ashtu si edhe janë.
Haraçina si vendbanim puro shqiptar, në një moment të revoltës së skajshme ndaj politikbërjes dhe qeverisjes më të disfarvorshme që ka mundë ti ndodhë popullatës së kësaj ane kurdoherë më parë, legjitimoi partitë opozitare. Por, siç ndodhë zakonisht në momentet e dëshpërimit të skajshëm, një pjesë e popullatës së këtushme u përcaktua për një subjekt që asnjëherë më parë nuk ka mbrojtur interesat e kësaj ane, po aq më pak të shqiptarëve në Maqedoni.
Këtyre ditëve ata që ishin bartës të futjes së hutisë në mesin e banorëve të Haraçinës dhe ata që manipuluan me besimin, ndjenjat dhe dëshirën e një pjese të haraçinasve, duke harruar se jetojmë në Haraçinën e vitit 2001, po shkojnë një hap më tej absurditetit të deritanishëm, duke kërkuar që një rrugë e Haraçinës – rruga 14 të bartë emrin e kryetarit aktual të LSDM-së, Zoran Zaev.
Si banorë i Haraçinës, si njeri që ia mendoj të mirën vendlindjes sime dhe vëllezërve të mi të gjakut, nuk mundem e të mos reagoj ndaj këtij propozimi sa qesharak po aq të dhimbshëm dhe manipulativ në thelb.
Të nderuar bashkëvendas, që u përcaktuat për të qenë kundër indit kombëtar, që nga viti 2001 e gjer më sot, ku ishit të ngritni iniciativë që një rrugë e kësaj komune të bartë emrin e ndonjërit prej aq shumë vëllezërve tanë, që në momentin kur tankset e subjektit të cilin po e përfaqësoni sot granatonin dhe digjnin shtëpitë e pasurit tona, u dolën përballë këtyre predhave dhe këtyre “demokratëve” duke paguar edhe me jetë, me gjak, e me gjymtyrë. A nuk patët guximin që të propozoni që një rrugë e Haraçinës të bartë emrin e Abaz Beqirit, Muzafer Agushit, Agim Nebiut, Zejadin Zymberit, Mirsad Abdulit e shokëve të tyre të gjallë e të vdekur, ata falë të cilëve ne sot po jetojmë në këto troje shekullore dhe po marrim edhe guximin të japim votë për ata që na vranë, e na shanë.
Të nderuar bashkëvendas të LSDM-së, këto troje çdo herë kanë dëshmuar se kanë Zot shtëpie, kanë ditë të ngrejnë zërin kundër padrejtësive, kundër shtypjes, por edhe kundër manipulimit. Dëshpërimin që në moment të caktuar kishin një pjesë e vëllezërve tanë haraçinas, nuk duhet ta keqpërdorni, vetëm e vetëm që ti shkoni për qejfi Zoranit tuaj. Edhe ai asnjëherë nuk u distancua nga predhat e bombardimet që erdhën nga bashkëpartiakët e tij, nuk u distancua nga dhuna dhe nga vrasjet, nuk kërkoi falje, por erdhi, manipuloi e shkoi.
Haraçinës nuk i duhet emri i Zaevit përderisa ka emra të bijve e bijave që çdo herë kanë ditë e do të dinë të mbrojnë dinjitetin dhe interesin e haraçinasve. Kemi emra të vlefshëm e të mirë, madje edhe për në Strumicë, nëse i duhen Zoranit.
Të mbeteni me të mira e me koka të kthjellta, të vetëdijësuar e të bashkuar, ashtu siç e kërkon vendi e kuvendi, ashtu siç e kërkon vëllazëria.
Me përshëndetje vëllazërore,