A do të çbllokohet sot Kuvendi i Maqedonisë?

Tash e një kohë të gjatë Maqedonia është në krizë politike e cila filloi me publikimin e përgjimeve të paligjshme, ku dëgjohen ujdi të ndryshme dhe veprime të paligjshme.

Thellimi i krizës çoi në ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për t’u arritur një marrëveshje politike në Përzhino, që i hapi rrugë formimit të Prokurorisë Speciale Publike, prokurori që është duke u marrë me hetime që dalin nga materialet e përgjuara.

Pas disa shtyrjesh, në dhjetor të vitit të kaluar u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që rezultoi me një fitore të dëshpëruar të OBRM-PDUKM-së, me rritje të LSDM-së, si edhe tkurrje të deputetëve shqiptarë.

Më 30 dhjetor u mbajt seanca e parë konstituiove, e cila ende nuk është përmbyllur. Kriza është thelluar pas dështimit të OBRM-PDUKM-së që të formojë qeveri, si edhe refuzimit të Ivanovit për ta mandatuar Zoran Zaevin. Arsyeja është Deklarata politike shqiptare e nënshkruar nga tre parti politike shqiptare që kanë siguruar ulëse në përbërjen e re të kuvendit të Maqedonisë.

Në dy ditët e fundit është duke u mbajtur seanca e Komisionit për çështje zgjedhore dhe emërime, por që ende nuk ka përfunduar, pasi që nuk po gjendet pajtueshmëri për kryetarin e komisionit. Në komision OBRM-PDUKM-ja ka 7 anëtarë, LSDM-ja ka 5 anëtarë, BDI-ja dhe Lëvizja Besa kanë nga 1 anëtarë.

Zgjedhja e kryetarit të këtij komisioni i hap rrugë vazhdimit të senacës konstituive të kuvendit. Të gjithë presin që kjo gjë të ndodhë dhe situata të merr drejtim pozitiv. Deri tani gjërat nuk kanë lëvizur, por shpresohet se do të përfundojë me rezultat pozitiv./Telegrafi/